Pse s’po flasim për shëndetin mendor si pasojë e punësimit të pasigurt?

 

shkruan Selvije Kurti

Aktiviste e shoqërisë civile

 

Në Kosovë vazhdojmë të flasim për papunësinë me numra dhe statistika, por shumë rrallë flasim për pasojat e padukshme që kjo gjendje lë pas: ndikimin e mungesës së punësimit të qëndrueshëm dhe punës pa kontrata të rregullta, në shëndetin mendor të mijëra qytetarëve. Kjo është sidomos e dukshme në Mitrovicë dhe zonat përreth, ku të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara përballen me një treg pune të paformalizuar, të pasigurt dhe shpesh abuziv.

Por përtej statistikave, ekzistojnë histori që flasin më shumë se çdo raport. Njëra prej tyre është historia e një gruaje të re, me një aftësi të kufizuar të lehtë, e cila punon në një nga kompanitë e ëmbëlsirave në rrethin e Mitrovicës. Historia e saj është pasqyrë e një realiteti të zymtë që shumë gra dhe punëtorë të margjinalizuar e përjetojnë çdo ditë.


Kontrata 3-mujore që punëtori nuk e sheh kurrë


Ajo ka tre fëmijë. Punon pothuajse çdo ditë, me vetëm një të dielë pushim në javët e zakonshme, ndërsa gjatë verës kur konsiderohet sezoni kur kompania ka shumë punë dhe para ditëve të festave, asnjë ditë të vetme. Pagën e ka 350 euro. Pushimin e paguar nuk e gëzon; çdo ditë e lirë merret vetëm pa pagesë. Ajo e ka të vështirë të marrë pushim edhe kur i sëmuret fëmija, edhe kur ka një vdekje në familje, madje edhe kur fëmijët festojnë ditëlindjen apo kanë ndonjë aktivitet në shkollë.

Megjithëse është e lodhur dhe e rraskapitur, ajo vazhdon të punojë. Kjo punë është e vetmja mundësi për të siguruar bukën e fëmijëve. Dhe si ajo, janë rreth 150 gra të tjera që punojnë në të njëjtin vend, në të njëjtat kushte.

Por pjesa më tronditëse ishte kur e pyeta pse nuk merr dy ditë pushim në javë, siç e garanton ligji.
Ajo më pa shkurt dhe tha: “S’kemi të drejtë.”

E pyeta për kontratën. Më tregoi se çdo tre muaj i thërrasin në zyrë për ta nënshkruar, por asnjëherë nuk ua japin kopjen që u takon. Vetëm nënshkruajnë dhe kthehen në vendin e punës. Ajo nuk e ka parë kontratën e saj kurrë në detaje.

Të mos kesh qasje në kontratën tënde të punës është një nga shkeljet më të qarta të dinjitetit dhe të drejtave themelore të punëtorit.

Kur e pyeta pse nuk denoncojnë, ajo heshti për pak. Pastaj tha:

“Nuk guxon askush. Edhe kur ka ardhur inspektorati, kanë qenë të afërt me ata të fabrikës. As s’na kanë pyetur. Disa kanë provu me reagu, por s’kanë pas sukses, veç punën e kanë humb. Na duhet puna me jetu.”

Për të, dhe për shumë gra të tjera në të njëjtën pozitë, kjo pasiguri nuk është vetëm shkelje ligjore, është ankth i përditshëm, një realitet që e rëndon çdo ditë, ndërsa shteti nuk arrin t’i mbrojë.

Kur pasiguria ekonomike bëhet krizë e shëndetit mendor

Çdo ditë për të fillon me pyetjen e njëjtë: “A do të vazhdoj të punoj edhe nesër?” Ky lloj ankthi nuk matet me indikatorë ekonomikë. Ai shfaqet në mënyra shumë më të rënda: pagjumësi, lodhje emocionale, stres kronik, irritim dhe shpërthime ankthi, depresion, ndjenjë të padenjësisë, frikë të vazhdueshme nga humbja e të vetmes punë që ka.

Studime të shumta nga organizata ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), si edhe universitete të njohura ndërkombëtare, kanë treguar se pasiguria në punësim ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Në disa raste, efektet janë po aq të dëmshme sa papunësia e plotë. Kur një punëtor jeton çdo ditë me pasiguri për vendin e punës, trupi dhe mendja futen në gjendje të përhershme alarmi. Ky stres kronik, me kohë, shndërrohet në ankth dhe depression permanent.

Gratë: barra e dyfishtë emocionale dhe ekonomike

Gratë si ajo përballen me presion të dyfishtë: nga njëra anë të sigurojnë të ardhurat për fëmijët, nga ana tjetër të pranojnë kushte të padrejta për të mos humbur punën. Ato përballen me pasiguri të pagës, mungesë të pushimit të lehonisë, mungesë të pushimit vjetor, frikë nga largimi në çdo moment pa procedurë, trajtim të pabarabartë, mungesë të kontratave afatgjate që do të ju sigurontë një mirëqenie solide.

Këto nuk janë vetëm shkelje ligjore, por goditje të drejtpërdrejta ndaj shëndetit mendor, duke krijuar frikë, lodhje dhe pasiguri të përhershme.

Presioni psikologjik për të mos humbur punën është veçanërisht i lartë tek gratë, pasi mungesa e profilizimit profesional, aftësive të mjaftueshme për tregun e punës dhe mundësitë për punë të re janë shumë më të kufizuara. Ky kombinim i faktorëve krijon një gjendje stresi të vazhdueshëm, ndjenjë izolimi dhe ndikim të rëndë mbi shëndetin mendor, duke ulur cilësinë e jetës së tyre.

Kriza e heshtur e shëndetit mendor në Kosovë, puna e pasigurt është stres kronik, jo një “zgjedhje”

Në diskursin publik shpesh thuhet se puna pa kontratë të sigurtë është një “zgjedhje mes dy të këqijave”. Në fakt, nuk është zgjedhje, është detyrim që lind nga mungesa e alternativave, mungesa e mbrojtjes institucionale dhe mungesa e sigurisë ekonomike. Në Mitrovicë, për shumë të rinj është “hapi i parë”. Për shumë gra është “i vetmi opsion”. Për shumë persona me aftësi të kufizuara është “rasti i vetëm për të mos u mbyllur në shtëpi”.

Por ky opsion vjen me një çmim: shëndetin e tyre mendor. Puna pa kontratë krijon ankth të vazhdueshëm. Ankthi çon në keqësim të gjenjdes fizike, emocionale e psiqike. Gjendja e tillë ulë energjinë, motivimin dhe mirëqiene.

Në një treg pune të fragmentuar, ku kontratat janë 3-mujore, dhe ku çdo hap drejt inspektimit ose denoncimit shihet si rrezik për humbjen e punës, puna e pasigurt nuk është zgjedhje është një spirale që dëmton mirëqenien, shëndetin mendor dhe dinjitetin e punëtorëve.

Historia e kësaj gruaje të re nuk është përjashtim. Ajo është simbol i një problemi kombëtar. Dhe ndërkohë që shteti dhe institucionet nuk ofrojnë mbrojtje reale, këto gra dhe familjet e tyre mbeten të ekspozuara, të lodhura dhe të pafuqishme.

Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të shëndetshme, puna dinjitoze duhet të jetë prioritet, jo privilegj. Historia e saj na kujton se pas çdo numri statistikash që përmend papunësinë, fshihet një fytyrë, një familje, një jetesë që lufton çdo ditë për mbijetesë dhe dinjitet.

Kur punëtori nuk mund ta mbajë në dorë kontratën e vet, kur askush nuk guxon të flasë, dhe kur institucionet nuk reagojnë, puna shndërrohet nga burim jetese në burim stresi, izolimi dhe dëmtimi të shëndetit mendor.

Nëse Kosova dëshiron të ndërtojë një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme, duhet të veprojmë tani. Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, është krizë e shëndetit publik dhe cenim i të drejtave të njeriut.

Deri sa të ketë përgjigje institucionale, gratë e Mitrovicës do të vazhdojnë të jenë aty, mes brumave dhe ëmbëlsirave, të rraskapitura, duke luftuar për mbijetesën dhe për shëndetin e tyre mendor.
 

“Ky shkrim e trajton punësimin e pasigurt jo vetëm si problem ekonomik, por si cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën për punë dinjitoze, të drejtën për shëndet (përfshirë shëndetin mendor) dhe të drejtën për mos-diskriminim.”

 

 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit #HumanRightivism, që implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës Suedeze Prishtinë.

Pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura në këtë material janë të të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose qëndrimin zyrtar të SIDA-së ose qeverisë suedeze.

Pse s’po flasim për shëndetin mendor si pasojë e punësimit të pasigurt?

You May Also Like