Ballafaqimi me të kaluarën, përgjegjësi kolektive

 

 

shkruan Fahrije Ymeri

Arsimtare

Në një mëngjes të qetë pranvere, në dritaret e klasës reflektonte drita e dielli të ndrojtur,   zërat brenda meje ishin të ngarkuar me histori . Isha mes dy botëve të asaj të shkuar e të dhimbshme që shfaqej në çdo vështrim të nxënësve të mi dhe të ardhmes që ëndërroja të ndërtonim së bashku.  Klasa  nuk ishte vetëm  vend për mësim, por një fushë e heshtur beteje mes plagëve të së kaluarës dhe shpresave për paqe. Kjo më bëri të kuptoj se, përtej librave dhe orëve të mësimit, kisha një detyrë më të madhe, t’i ndihmoja ata fëmijë të shihnin se në mes të thyerjes, është gjithmonë e mundur të ndërtohet diçka e bukur.

Kohë e vështirë, kur çdo gjë dukej se po copëtohej si jeta, marrëdhëniet, shpresat. Isha mësimdhënëse e gjuhës shqipe që punoja me nxënësit e komunitetit serb dhe shqiptarë. E gjeja veten të kapur në një mes të ndërlikuar, mes dhimbjes që shihja çdo ditë në sytë e nxënësve të mi dhe konfliktit që vazhdonte jashtë klasës sime. Në atë periudhë, përballesha me sfida që nuk ishin vetëm profesionale, por edhe personale dhe morale. 

Periudha e vështire mbarroi, por për dikë që kishin humbur më të dashurit e tyre, sapo kishte filluar me ballafaqimin e realitetit të krijuar, duke u munduar të rimëkëmben. Përballja me të kaluarën filloi, kur dhimbja dhe pasojat e saj ishin ende të freskëta. Ishte e pamundur të mos ndieje peshën e asaj që kishte ndodhur.

Përballja e parë ndodhi në klasë, kur nxënësit e mi, të cilët ishin ende fëmijë, filluan të më pyesnin pyetje të vështira: “Pse ndodhi kjo?” “Kush është fajtor?” “Pse na urrejnë kaq shumë?”. Në ato momente, kuptova se nuk mund të ofroja përgjigje të thjeshta, por mund të krijoja një hapësirë ku ata të ndiheshin të dëgjuar dhe të kuptuar. Ndjeja përgjegjësinë për të mos lejuar që urrejtja dhe paragjykimet të zinin vend në zemrat e tyre. Ishte sfidë e madhe, sepse unë vetë po përballesha me ndjenja komplekse. Kisha humbur miqësi dhe lidhje me njerëz që më parë ishin pjesë e jetës sime.

Për të mos lejuar që kjo të ndikonte te puna ime, fillova të reflektoj për rolin tim si mësimdhënëse dhe si njeri. Më  ndihmoi të kuptoj se ballafaqimi me të kaluarën nuk do të thotë ta harrosh atë, por ta shohësh me një qëllim për të mësuar, reflektuar dhe për të ecur përpara.

Momenti  kyç ishte kur vendosa të organizoj një aktivitet me nxënësit nga komunitete të ndryshme që do të ndanin historitë e tyre. Ishte një ide që fillimisht ngjalli kundërshtime, por besova se dialogu ishte çelësi për të ndërtuar ura mes nxënësve. Gjatë atij aktiviteti, një nga nxënësit serb tregoi historinë e humbjes së xhaxhait të tij gjatë luftës, ndërsa një nxënës shqiptar ndau se si familja e tij ishte detyruar të largohej nga shtëpia, një tjetër se kishte humbur familjen.   Për  herë të parë, pashë se si nxënësit filluan të kuptonin se dhimbja nuk kishte kombësi. Ky ballafaqim solli një proces tjetër të ndërlikuar Pajtimin, që filloi  brenda meje.

Kishte momente kur ndjeja zemërim dhe zhgënjim për padrejtësitë që kishim përjetuar si shoqëri. Por kuptova se pajtimi nuk do të thotë të harrosh, as të mohosh dhimbjen sepse ai fillon me pranimin e asaj që ka ndodhur dhe me gatishmërinë për të ndërtuar diçka më të mirë. Një përvojë personale që më ndihmoi të kuptoj rëndësinë e pajtimit ishte një takim me një kolege shqiptare, me të cilën nuk isha takuar prej vitesh. Kishim qenë të afërta përpara, por ngjarjet që u zhvilluan në vendin tonë na kishin ndarë.

Kur u takuam përsëri, kishte një heshtje të sikletshme mes nesh, derisa ajo tha: “Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të vendosim si do ta ndërtojmë të ardhmen.” Këto fjalë më prekën thellë dhe më ndihmuan të kuptoj se pajtimi fillon me një akt të thjeshtë të gatishmërisë për të dëgjuar dhe për të falur.

Ndërtimi i paqes, për mua, ishte një hap i tretë dhe i natyrshëm pas ballafaqimit dhe pajtimit. Në klasën time, fillova të përqendrohem më shumë në vlerat universale të respektit, empatisë dhe dialogut. Organizova aktivitete ku nxënësit mësonin për kulturat dhe historitë e njëri-tjetrit, jo për të nxitur ndasi, por për të kuptuar dhe vlerësuar diversitetin.

Një moment që do ta mbaj mend gjithmonë ishte kur një nga nxënësit e mi më tha: “Mësuese, unë nuk e dija se ata ndiheshin si ne.” Ai qëndrim i sinqertë më dha shpresë se brezi i ri mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë, një të ardhme ku paqja nuk është thjesht mungesë konflikti / lufte, por një ndjenjë e thellë bashkëjetese dhe respekti.

Gjatë viteve të punës, vura re që për të ndërtuar paqe, duhej të përballesha edhe me frikën dhe dyshimet e mia. Ndonjëherë ndjeja se përpjekjet e mia ishin të kota përballë ndasive të mëdha. Por çdo hap, sado i vogël, kontribuonte në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe të mirë. Disa nga prindërit,  fillimisht ishin skeptikë ndaj aktiviteteve ndërkulturore, filluan të më mbështesin dhe të përfshihen aktivisht në përpjekjet për bashkëpunim.

Sot, kur shoh prapa, e kuptoj se procesi i ballafaqimit me të kaluarën, pajtimit dhe ndërtimit të paqes nuk është kurrë i lehtë apo linear. Kërkon përpjekje të vazhdueshme, reflektim të sinqertë, mbi të gjitha, guxim. Një proces që më ka dhënë më shumë kuptim dhe më ka bërë më të fortë. Si. mësimdhënëse ndihem krenare që kam luajtur një rol, sado të vogël, në ndërtimin e një të ardhmeje ku njerëzit mund të shohin përtej ndasive dhe të bashkohen për një qëllim të përbashkët  ndërtimin e paqes. Ballafaqimi me të kaluarën nuk është vetëm një përgjegjësi personale, por një detyrë kolektive.

Pajtimi dhe ndërtimi i paqes fillon me ne, në vendet ku jetojmë dhe punojmë, dhe ato vazhdojnë të rriten përmes përpjekjeve tona të përditshme. Përvojat më kan mësuar se paqja nuk është dhuratë që vjen vetvetiu, por vlerë që ndërtohet, ruhet dhe përhapet nga çdo veprim që bëjmë për të. Ajo fillon në zemrën e secilit prej nesh.

Ballafaqimi me të kaluarën na sfidon të shikojmë në sy të vërtetën, të pranojmë dhimbjen dhe gabimet, ndërsa pajtimi është akti fisnik i faljes dhe ripërtëritjes së lidhjeve të thyera. Paqja, një dritë që lind pas stuhisë, lulëzon aty ku zemrat hapen për dialog, mirëkuptim dhe shpresë.  Është simfonia e shpirtit njerëzor që kërkon harmoni dhe një jetë të ndërtuar mbi dashuri dhe drejtësi.

Ballafaqimi me të kaluarën, përgjegjësi kolektive

You May Also Like