Raportimi në kohë trazirash, gjoker për paqe apo konflikt

 

shkruan Sefer Zogaj

Gazetar

Gjatë viteve të fundit në Kosovë tensionet në veri të vendit janë rritur, duke e bërë rolin e raportimit gazetaresk si shumë domethënës në krijimin e narrativës rreth ngjarjeve.

Meqë nacionalizmi është opium i masave, gazetaria duhet të jetë e kundërta – profesionale dhe emancipuese në raportim informues.

Është sfiduese, kështu ka qenë edhe më 24 shtatorin 2023, kur ndodhi sulmi në Banjska. Pos tensioneve në terren, kishte shpërthyer edhe retorika nacionaliste në rrjetet sociale, në të dyja komunitetet etnike, shqiptare dhe serbe.

Gazetarët shqiptarë dhe serbë në një situatë të tillë, duhej të verifikonin secilin lajm, pasi mediat sociale si TikToku është një sfidim direkt i gazetarisë tradicionale, aty plasohen lajme pa kontrollë – është një “anarkizëm gazetaresk”, ku lajmet e rreme mbulojnë të vërtetën.

Nëpër rrjetet sociale, qarkullonin lajme të paverifikuara për numrin e të vrarëve atë ditë, pa asnjë konfirmim nga Policia e Kosovës, apo KFOR-i si mekanizëm për ruajtjen e paqes në Kosovë, sipas rezolutës së OKB-së.

Lajmet e pakonfirmuara vetëm sa shtonin tensionin në publik, teksa gazetarët nuk kishin akoma informacione kredibile se çfarë po ndodhte – në rrjete sociale filloi kritika ndaj gazetarëve se pse sulmuesve nuk po i referoheshin si terroristë.

Nuk i përket gazetarit të jap verdikte, e sidomos kur akoma është terr informativ, në një kohë kur as institucionet relevante vendore, e as bashkësia ndërkombëtare nuk po jepnin cilësime – derisa të përmbyllej gjithçka në terren.

Atë ditë edhe unë si gazetar gjendesha në presion të dyanshëm, në një anë duhej të konfirmoheshin të gjitha lajmet nga terreni, gjë që ka qenë shumë e vështirë referuar gjendjes së rëndë në terren, e në anën tjetër presioni i masës linçuese edhe ndaj mediave për mënyrën sesi nuk po i qasenin narrativës nacionaliste.

Gazetari që respekton rregullat e këtij profesioni zgjedh profesionalizmin, para emocioneve. Meqë, njeriu i përket edhe identiteteve sociologjike, në këtë rast një etnie – gazetaria ka përgjegjësi për të qenë gjithpërfshirëse, t’i informojë korrekt të gjithë.

Përjashtuar lajmet e rreme që qarkullonin në disa faqe interneti që plasojnë “lajme”, si dhe në rrjete sociale, mediat kryesore atë ditë ishin korrekte në raportim.

Por kështu nuk ka qenë gjithmonë, jo 20 vite më parë.

Trazirat e marsit dhe ndikimi i mediumit publik

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), në mars të vitit 2004, kishte publikuar pretendimet e disa fëmijëve shqiptarë në veri të Mitrovicës, sipas të cilëve “ishin ndjekur nga serbët, ndërkaq bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë”. Protestat kishin shpërthyer në gjithë Kosovën, duke vijuar pastaj me trazirat. Bilanci tragjik, 19 të vrarë, prej tyre 11 shqiptarë dhe 8 serbë.

Ky shembull edhe sot përdoret sesi gazetarët nuk duhet të raportojnë, përkundër se nuk është akoma e verifikuar plotësisht nëse ky raportim ishte shkaku i vetëm i nisjes së këtyre trazirave.

Nëse RTK-ja do të ndiqte rregullat standarde gazetareske, minimalisht do të duhej të merrte një deklaratë nga Policia, KFOR, si dhe mekanizma të tjerë relevantë.

Publikimi i deklaratave të të miturve, pa asnjë burim shtesë – vetëm pak më shumë se katër vjet pas një konflikti të përgjakshme etnike, ka qenë joprofesionalizëm. Një model që duhet të kundërshtohet, e të veprohet në të kundërtën e tij.

Joprofesionalizmi gazetaresk në botë ka shkaktuar edhe gjenocid

Ruanda, një shtet në Afrikën Lindore, tash mbi 14 milionë banorë – ka një tregim të hidhur sa i përket joprofesionalizmit gazetaresk, pasi 30 vjet më parë, 1994 – ndodhi një gjenocid të cilin e nxiti media tendencioze me frymë nacionaliste.

Në Ruanda, janë dy etni kryesore, shumica Hutu dhe pakica Tutsit. Urrejtja etnike ishte e thellë, i ndikuar edhe nga regjimi i Juvénal Habyarimana, një hutu nacionalist.

Pasi Habyarimana u vra, zjarri u ndez – Radio Television Libre des Mille Collines (RTLM), një medium propagandistik i pushtetit e quante pakicën Tutsi si “insekte”. Kjo nuk ishte vetëm një retorikë metaforike, por një plan – që njëmend regjimi po shkelte pakicën Tuts dhe huts e moderuar sikur të ishin “insekte”.

Të paktën 800 mijë njerëz ishin vrarë – një gjenocid që kishte ndodhur brenda 100 ditëve në vitin 1994.

Si duhet të raportohet në situata të tensionuara?

Së pari, përgjegjësia ndaj shoqërisë. Si gazetar përfaqëson një interes të përgjithshëm, në kuadër të kësaj duhet të raportosh për të gjithë, pa dallim.

Kjo e bën raportimin e gazetarit profesionist si informativ për publikun, jo analizues, gjykues e atakues ndaj etnive të tjera. Nacionalizmi është përjashtues, rrjedhimisht nuk i takon gazetarisë e cila është gjithëpërfshirëse.

Gjithëpërfshirja kërkon profesionalizëm, asnjë publikim nuk duhet të bëhet pa verifikim kredibil të informacionit, sidomos në situata komplekse tensioni.

Pasi të verifikohet informacioni, duhet të shtrohet në diskutim brenda redaksisë nëse informacioni është relevant, ka një dallim substancial në mes asaj që çfarë dëshiron të dijë publiku dhe çfarë duhet të dijë publiku.

Nëse informacioni është relevant për publikun, gjuha në të duhet të jetë standarde, që në asnjë mënyrë nuk anon mbi baza nacionaliste.

Lajmi duhet të shkruhet qartë, që të kuptohet nga të gjithë e të mos keqkuptohet nga ndokush. Pra, një përpjekje e gazetarit për t’i shërbyer paqes përmes punës së tij.

Nuk është e lehtë të jesh gazetar i paqes, por është e domosdoshme. Paqja e demokracia e mundësojnë gazetarinë, gazetaria duhet t’u mundësojë po vazhdimësinë e tyre.

Raportimi në kohë trazirash, gjoker për paqe apo konflikt

You May Also Like