Rritja e transparencës në prokurim publik kërkon gazetarë të profilizuar

shkruan Agon Sinanaj
Redaktor/Gazetar
Prokurimi publik mbetet ndoshta fusha më së paku e “lëvruar” nga mediat në Kosovë. Dhe kjo jo pse, si fushë, është më pak e rëndësishme se, ta zëmë, politika, por më shumë lidhet me ndryshimin e modelit të të bërit gazetari pas vitit 2011, kur mediat kaluan online. Në kohën kur kishte gazeta të shtypura, secili medium kishte redaksi të ekonomisë dhe gazetarë të profilizuar që merreshin vetëm me tenderët publikë. Pas vitit 2011, kjo “traditë” thuajse nuk ekziston më.
Kalimi nga mediat e shtypura në ato online ka ndryshuar modelet e financimit dhe mënyrën e punës, duke i dhënë shumë rëndësi shpejtësisë dhe sasisë së lajmeve. Kjo e ka deformuar në masë të madhe cilësinë e mbulimit gazetaresk. Nga profilizimi, sot kemi kaluar te përgjithësimi.
E potencoj këtë sepse është shumë e rëndësishme kur flasim për transparencën në fushën e prokurimit publik. Duke qenë një fushë specifike që kërkon njohuri të specializuara, është e pamundur të ekspozohen rastet e korrupsionit në prokurimin publik nëse mediat nuk i orientojnë gazetarët drejt profilizimit. Përveç njohurive teknike në mbledhjen e informacionit, gazetarët që shkruajnë për tenderët publikë duhet të jenë të përgatitur në analizimin e të dhënave dhe në ekspozimin e lidhjeve mes zyrtarëve përgjegjës për prokurimin dhe kompanive që i fitojnë tenderët. Dhe kjo nuk është një punë e lehtë. Kërkon kohë dhe përvojë në mënyrën se si gazetari/ja u qaset të dhënave dhe burimeve.
Nga përvoja ime si gazetar, mendoj se shpesh problemi nuk është mungesa e informacionit apo e të dhënave. Përkundrazi, kur flasim për prokurimin publik, të dhënat në masë të madhe janë publike. Mirëpo, për t’i gjetur dhe analizuar ato kërkohen njohuri, dhe këto njohuri, sidomos në prokurim publik, mund t’i kenë vetëm gazetarët e profilizuar. Në të kundërtën, mundësia për gabime është shumë e madhe.
Andaj, kalimi në mediat online, përveç disavantazheve, i ka edhe avantazhet e veta, të cilat gazetarët duhet t’i shfrytëzojnë. Një nga to është ajo që njihet si “desk research”. Në Buletini Ekonomik, mediumin ku punoj, një pjesë e madhe e punës – sidomos e mbledhjes së të dhënave – bazohet në të dhënat online që i përpunojmë.
Duhet ta përmend këtu ekspozimin e një rasti të madh korrupsioni në vitin 2024, duke u bazuar në gazetarinë “desk research”. Kemi gjetur se dy kompanitë kryesore që i kanë ndërtuar stendat për Kosovën në panaire ndërkombëtare kanë pronar të njëjtë, ndërkohë që nga institucioni përgjegjës ato na janë paraqitur si kompani konkurrente. Përmes analizimit të të dhënave që janë online në institucionet kroate, kemi arritur të zbulojmë këtë ndërlidhje, e cila po hetohet nga organet e drejtësisë pas publikimit të hulumtimit.
Një rast tjetër është një hulumtim që e kemi realizuar vitin e kaluar në sektorin e energjisë. Përmes përpunimit të të dhënave online, kemi gjetur se kompania e angazhuar për import të energjisë elektrike për Kosovën ka zbatuar çmim deri në 220 për qind më të lartë se çmimi zyrtar i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare. Fillimisht kemi siguruar çmimin që e ka zbatuar kompania, dhe këto të dhëna pastaj i kemi krahasuar me çmimin e energjisë elektrike në bursën HUPX.
Prandaj, kur flasim për gazetarinë hulumtuese, sot mundësitë për të arritur deri te informacioni janë më të lehta, por theksi duhet të vihet te ajo pse nuk po shfrytëzohen nga mediat dhe gazetarët. E para është ajo që e përmenda më lart, që lidhet me edukimin e gazetarëve dhe mungesën e profilizimit të tyre.
Përkundër premtimeve politike, strategjive dhe investimeve buxhetore, realiteti mbetet problematik: ekosistemi i të dhënave të hapura në Kosovë vazhdon të karakterizohet nga fragmentimi i të dhënave, mungesa e një pike të vetme qasjeje, platforma të ndërtuara pa standarde interoperabiliteti dhe pa dashboards funksionale për përdoruesit, si dhe mungesa pothuajse e plotë e indikatorëve të rrezikut të integruar në sistemet publike.
Sidomos kjo mangësi është vërejtur në fushën e prokurimit publik. Shpesh gazetarëve u duhet shumë kohë dhe mund për të arritur te zbërthimi i një tenderi, pikërisht sepse të dhënat janë të shpërndara në disa institucione.
Nëse gazetari dyshon se një tender i është dhënë një kompanie që është financuese e partisë në pushtet, ai/ajo duhet të kalojë nëpër disa uebsajte për të arritur deri te kjo informatë. Njëjtë ndodh edhe kur duam të gjejmë lidhjen mes zyrtarëve të publik dhe kompanive që i marrin tenderët.
Pikërisht në këtë terren të fragmentuar, Integrity Watch Kosova, e zhvilluar nga KDI, shfaqet si një ndërhyrje me potencial transformues. Duke bashkuar të dhënat e shpërndara nga tre politika kruciale në fushën e ndikimit politik dhe luftës kundër korrupsionit, duke i standardizuar dhe duke i kthyer në informacion të menjëhershëm përmes dashboards dhe indikatorëve të rrezikut, platforma nuk ua lehtëson vetëm punën gazetarëve hulumtues, ajo demonstron në praktikë se si duhet të funksionojë vetë arkitektura shtetërore e transparencës. Është një provë konkrete se integrimi inteligjent i të dhënave publike është i realizueshëm dhe se pritja për reforma nuk duhet të jetë më justifikim për mosveprim.
Andaj, sidomos për gazetarët hulumtues në fushën e prokurimit publik, platforma si Integrity Watch Kosova përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm. Hulumtimi nuk nis më nga zero, por nga një bazë e strukturuar të dhënash. Kuptohet, kjo nuk e zëvendëson punën gazetareske, por e fuqizon atë. Gazetari fiton kohë për analizë dhe për verifikim të fakteve në terren.
Ajo që e bën këtë platformë veçanërisht të rëndësishme është rritja e transparencës në nivelin lokal. Lirisht mund të thuhet se sot prokurimi publik në nivel lokal është pothuajse i pambuluar nga mediat. Këtë platformë e shoh si mundësi të mirë edhe për t’i nxitur gazetarët drejt profilizimit. Është e paimagjinueshme sa shumë mund të bëhet në rritjen e transparencës përmes përpunimit të të dhënave që tashmë janë publike.
Në këtë kontekst, të dhënat e hapura nuk duhet të mbeten një slogan i modernizimit institucional, por të shndërrohen në infrastrukturë funksionale të llogaridhënies publike. Kur të dhënat integrohen, standardizohen dhe vizualizohen në mënyrë inteligjente, ato pushojnë së qeni arkiva pasive dhe kthehen në mjete aktive mbikëqyrjeje. Kjo jo vetëm që fuqizon gazetarinë hulumtuese dhe qytetarin e informuar, por njëkohësisht vendos një standard të ri për vetë institucionet ku transparenca efektive është e realizueshme dhe duhet të bëhet normë, jo përjashtim.
Ky artikull u zhvillua në kuadër të projektit “Biseda për transparencë”, që financohet nga Instituti Demokratik i Kosovës – si pjesë e bashkëfinancimit mes projekteve “Rinia dhe shoqëria civile për integritet”, i financuar nga Suedia (Sida) dhe “Mbikëqyrja e Integritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e përfituesit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e KDI-së si ofrues i sub-grantit, as të donatorëve – Suedisë dhe BE-së.
