Të drejtat e punës nuk janë privilegj

shkruan Erzen Isufi
Ekonomist i diplomuar
Në Kosovë, shumë të rinj nuk po kërkojnë punë të ëndrrave – por punë me dinjitet. Para një kohe, gjatë punës sime me të rinjtë në rajonin e Mitrovicë, një bisedë e thjeshtë më mbeti gjatë në mendje. Një e re, e diplomuar dhe plot motiv, më tregoi se kishte punuar me muaj të tërë pa kontratë, pa sigurim shëndetësor dhe me një pagesë minimale që mezi mbulonte shpenzimet bazike. Ajo nuk kërkonte favore apo privilegje – kërkonte vetëm dinjitet në punë dhe siguri për të nesërmen.
Ky nuk është një rast i izoluar, por një realitet i përditshëm për shumë të rinj, gra dhe persona me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Të drejtat e punës janë të drejta themelore të njeriut dhe përbëjnë bazën e një shoqërie të drejtë dhe funksionale. Megjithatë, për shumë qytetarë të rajonit të Mitrovicës dhe më gjerë, këto të drejta mbeten më shumë në letër sesa në praktikë. Ligjet ekzistojnë, institucionet janë të themeluara, por hendeku ndërmjet normës ligjore dhe realitetit në terren vazhdon të jetë i thellë. Ky op-ed synon të hedhë dritë mbi sfidat reale me të cilat përballen grupet e margjinalizuara në tregun e punës dhe të nxisë reflektim dhe veprim konkret nga institucionet, punëdhënësit dhe shoqëria në tërësi.
Tregu i punës dhe pabarazitë ekzistuese
Kosova vazhdon të përballet me nivele të larta të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë, çka po reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në migrimin e tyre. Për shumë prej tyre, hyrja në tregun e punës shoqërohet me forma të pasigurta punësimi: punë pa kontratë, orare të zgjatura dhe shkelje të hapura të të drejtave themelore. Në vend që puna të jetë burim stabiliteti dhe zhvillimi personal, ajo shpesh shndërrohet në burim pasigurie dhe stresi.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për gratë dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilët përballen me diskriminim të shumëfishtë. Gratë hasin pengesa strukturore që nga procesi i rekrutimit e deri te avancimi në karrierë, duke u përballur me paga më të ulëta, mungesë sigurie në vendin e punës dhe presione sociale që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në tregun e punës. Ndërkohë, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përjashtohen për shkak të mungesës së qasjes fizike, mungesës së përshtatjeve në vendin e punës dhe paragjykimeve që i shohin më shumë si barrë sesa si potencial.
Këto pabarazi nuk dëmtojnë vetëm individët e prekur, por e varfërojnë edhe shoqërinë në tërësi, duke humbur energji, kreativitet dhe kapital njerëzor që do të mund të kontribuonte në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Përvoja nga terreni
Gjatë angazhimit tim profesional, kam pasur mundësinë të takoj shumë të rinj që ndodhen në një udhëkryq mes shpresës dhe zhgënjimit. Shumë prej tyre janë të gatshëm të kontribuojnë, të mësojnë dhe të punojnë me përkushtim, por përballen me një sistem që nuk i mbështet dhe nuk i mbron mjaftueshëm.
Një rast domethënës është ai i një vajze të re që punon në sektorin privat pa kontratë pune. Frika nga humbja e vendit të punës e detyron atë të heshtë edhe kur të drejtat e saj shkelen haptazi. Edhe sot, ajo vazhdon të punojë pa kontratë të nënshkruar; ndonëse i paguhen tatimet, ajo nuk është e informuar për të drejtat që i takojnë me ligj dhe nuk ka siguri për të ardhmen e saj profesionale. Edhe për pushimin vjetor që i garanton ligji, ajo duhet të presë me javë të tëra për ta marrë, duke u detyruar të japë arsyetime pse i nevojitet pushimi.
Po ashtu, kam njohur persona me aftësi të kufizuara që, pavarësisht kualifikimeve dhe vullnetit për punë, nuk janë ftuar asnjëherë në intervistë pune. Ky përjashtim i heshtur i mban ata jashtë tregut të punës dhe ua mohon të drejtën për pavarësi ekonomike dhe dinjitet personal.
Këto histori nuk janë përjashtime, por dëshmi e një sistemi që ende nuk i trajton të drejtat e punës si prioritet real dhe që nuk arrin të krijojë mekanizma efektivë për mbrojtjen e grupeve më të ndjeshme.
Ligji i Punës dhe hendeku me realitetin
Shkeljet e të drejtave të punës nuk ndodhin rastësisht. Ato janë rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë zbatimin e dobët të legjislacionit, mungesën e inspektimeve efektive, nivelin e ulët të informimit të punëtorëve dhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Ligji i Punës në Kosovë përcakton qartë të drejtat dhe obligimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve, duke përfshirë të drejtën për kontratë pune, kushte të sigurta, orar të rregullt, pushime dhe mbrojtje sociale. Megjithatë, për shumë qytetarë, këto dispozita ligjore mbeten të paarritshme në praktikë. Inspektimet e punës shpesh janë të pamjaftueshme ose formale, duke mos arritur të mbrojnë realisht punëtorët më të cenueshëm. Kur ligji nuk zbatohet në mënyrë konsekuente, ai humb fuqinë e tij mbrojtëse dhe shndërrohet në një dokument formal pa ndikim real.
Institucionet publike kanë përgjegjësi ligjore për të garantuar zbatimin e Ligjit të Punës, por pa presion publik dhe pa përfshirje aktive të shoqërisë civile, këta mekanizma mbeten të dobët. Nga ana tjetër, sektori privat shpesh fokusohet në fitim afatshkurtër, duke neglizhuar standardet minimale të punësimit dhe përgjegjësinë sociale që duhet ta shoqërojë çdo aktivitet ekonomik.
Shoqëria civile luan një rol kyç në ngritjen e zërit të atyre që nuk dëgjohen dhe në promovimin e dialogut ndërsektorial. Organizata joqeveritare kontribuojnë në ndërgjegjësimin publik dhe në fuqizimin e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre, por ky angazhim duhet të mbështetet fuqishëm edhe nga institucionet dhe bizneset.
Rrugë praktike për përmirësim
Përmirësimi i situatës së të drejtave të punës kërkon veprime konkrete, të koordinuara dhe afatgjata. Së pari, është e domosdoshme forcimi i mekanizmave të mbikëqyrjes dhe inspektimit të punës, në mënyrë që Ligji i Punës të mos mbetet vetëm një dokument formal. Punëtorët duhet të informohen më mirë për të drejtat e tyre dhe të ndihen të sigurt për t’i raportuar shkeljet pa frikë nga hakmarrja. Ky informim duhet të fillojë që në shkollën e mesme.
Së dyti, politikat e punësimit duhet të jenë më gjithëpërfshirëse, duke krijuar stimuj konkretë për punësimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara. Programet e trajnimit dhe punësimit për të rinjtë duhet të lidhen drejtpërdrejt me nevojat reale të tregut të punës dhe të shoqërohen me kushte dinjitoze pune.
Megjithatë, krahas rasteve të vështira që vazhdojnë të dominojnë realitetin e punësimit, ekzistojnë edhe shembuj pozitivë që dëshmojnë se ndryshimi është i mundur. Një rast domethënës është ai i një gruaje me aftësi të kufizuara, e cila fillimisht u angazhua në një periudhë të shkurtër praktike dhe më pas u punësua me kontratë të rregullt. Sot, ajo është aktive në vendin e saj të punës dhe e kënaqur me kontributin që jep. Ky shembull tregon se kur ekziston vullnet dhe përgjegjësi, punësimi gjithëpërfshirës është i suksesshëm për të gjitha palët.
Së fundi, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile është thelbësor për ndërtimin e një kulture të respektimit të të drejtave të punës. Vetëm përmes këtij bashkëpunimi mund të reduktohet stigma, të rritet besimi dhe të krijohen mundësi reale për përfshirje sociale dhe ekonomike.
Thirrje për veprim
Të drejtat e punës nuk duhet të jenë luks apo privilegj për disa, por standard për të gjithë. Të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara meritojnë mundësi të barabarta dhe kushte dinjitoze pune, ashtu siç parashihet edhe me Ligjin e Punës në Kosovë.
Është koha që institucionet të veprojnë me më shumë vendosmëri, punëdhënësit të marrin përgjegjësi sociale dhe qytetarët të mos heshtin përballë padrejtësive. Sepse të drejtat e punës nuk janë privilegj – janë themeli i një shoqërie të drejtë.
“Ky shkrim e trajton punësimin e pasigurt në Kosovë si një çështje të thellë të të drejtave të njeriut, duke e parë përtej dimensionit ekonomik. Përmes përvojave konkrete nga terreni në rajonin e Mitrovicë, shkrimi nxjerr në pah shkeljet e të drejtave themelore të punës, mungesën e kontratave, pasigurinë sociale dhe diskriminimin që prekin veçanërisht të rinjtë, gratë dhe personat me aftësi të kufizuara.”
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit #HumanRightivism, që implementohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) me mbështetjen e Ambasadës Suedeze Prishtinë.
Pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura në këtë material janë të të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose qëndrimin zyrtar të SIDA-së ose qeverisë suedeze.
