Transparenca dhe llogaridhënia në nivel lokal: Mësime nga përvoja e aktivizmit

shkruan Gentiana Zeqiri
Aktiviste e shoqërisë civile
Transparenca dhe llogaridhënia në nivel lokal nuk janë thjesht koncepte teorike të demokracisë, por procese konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ato përcaktojnë mënyrën se si merren vendimet, si shpenzohen fondet publike dhe sa hapësirë u jepet qytetarëve për të ndikuar në çështjet që prekin komunitetin e tyre. Në mungesë të transparencës, krijohet terren për mosbesim, keqmenaxhim dhe përjashtim të qytetarëve nga proceset vendimmarrëse. Ndërsa aty ku ekziston llogaridhënia, forcohet besimi, rritet pjesëmarrja dhe ndërtohet një qeverisje më e përgjegjshme.
Në nivel lokal, transparenca ka një rëndësi të veçantë sepse politikat dhe vendimet janë më afër qytetarëve dhe ndikimi i tyre është më i prekshëm. Vendimet për buxhetin, shërbimet publike, infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia reflektohen drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së njerëzve. Për këtë arsye, qeverisja lokale duhet të jetë jo vetëm formalisht e hapur, por realisht e kuptueshme dhe e aksesueshme për qytetarët.
Kërkimi i llogaridhënies nuk është një akt konfrontimi, por një formë e përgjegjësisë qytetare. Ai kërkon pyetje të drejta, insistim të vazhdueshëm dhe gatishmëri për dialog. Përvoja ime personale në këtë fushë është ndërtuar gradualisht, përmes angazhimit qytetar dhe monitorimit të proceseve publike, gjithmonë nga pozicioni i një qytetareje që synon të kuptojë dhe të ndikojë pozitivisht, jo nga një rol institucional dhe asnjëherë me qasje destruktive, por duke synuar gjithmonë kontributin për të mirën e përgjithshme në komunitet.
Të qenit vajzë e angazhuar në aktivizëm për transparencë dhe llogaridhënie ka sjellë sfida të veçanta dhe nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në shumë raste, hapësirat publike të diskutimit mbi buxhetin, qeverisjen dhe politikat lokale kanë qenë të dominuara nga burra, ndërsa prania dhe zëri i grave është vlerësuar më pak. Ka pasur momente kur angazhimi i një vajze në çështje të “rëndësishme” të qeverisjes është parë me skepticizëm ose është nënvlerësuar. Megjithatë, këto barriera nuk kanë qenë pengesë për vazhdimin e angazhimit, por një shtysë për të dëshmuar se përkushtimi dhe kompetenca nuk varen nga gjinia.
Vite më parë, angazhimi qytetar ka qenë sfidë në vete, pjesëmarrja në proceset lokale ishte dukshëm më e vështirë. Informacioni publik ishte i kufizuar, dokumentet zyrtare shpesh nuk ishin të aksesueshme dhe kultura e transparencës ishte e dobët. Qytetarët rrallë ndiheshin të ftuar për të marrë pjesë në diskutime, pasi ato publikoheshin në hapësira jo të dukshme për ta ndërsa dëgjimet publike shpesh trajtoheshin si formalitet. Në këtë kontekst, kërkimi i llogaridhënies kërkonte më shumë këmbëngulje dhe përballje me rezistencë institucionale. Me kalimin e kohës, u bë e qartë se ndryshimi nuk vjen menjëherë, por ndërtohet përmes veprimeve të vogla dhe të vazhdueshme. Çdo pyetje e bërë publikisht, çdo kërkesë për informacion dhe çdo debat i hapur kontribuonte në rritjen e presionit për më shumë transparencë. Edhe pse jo gjithmonë institucionet kanë qenë të hapura që në fillim, në shumë raste është vërejtur se insistimi qytetar ka sjellë reflektim dhe bashkëpunim.
Në krahasim me të kaluarën, sot ekziston një vetëdije më e madhe për rëndësinë e llogaridhënies. Qytetarët janë më të informuar dhe më të gatshëm të kërkojnë shpjegime për vendimet publike. Diskutimi mbi transparencën është bërë pjesë e diskursit publik dhe pritshmëritë ndaj institucioneve janë rritur. Ky ndryshim nuk ka ndodhur rastësisht, por si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme qytetare për të kërkuar hapje dhe përgjegjësi.
Një zhvillim i rëndësishëm në këtë drejtim ka qenë avancimi i teknologjisë dhe digjitalizimi i shërbimeve publike. Sot, qytetarët kanë mundësi të ndjekin online mbledhjet e kuvendeve komunale, të informohen për vendimet në kohë reale dhe të kenë qasje në dokumente publike pa qenë gjithmonë të pranishëm fizikisht. Kjo ka rritur dukshëm transparencën formale dhe ka ulur barrierat për pjesëmarrje. Sistemet e prokurimit elektronik kanë krijuar mundësi të reja për monitorimin e shpenzimit të fondeve publike. Qytetarët mund të shohin kontratat me operatorët ekonomikë, të analizojnë procedurat dhe të identifikojnë parregullsi të mundshme. Po ashtu, platformat për deponimin e kërkesave dhe ankesave u kanë dhënë qytetarëve një kanal më të drejtpërdrejtë komunikimi me institucionet, pa pasur nevojë të paraqiten gjithmonë fizikisht. Këto zhvillime kanë qenë veçanërisht të rëndësishme për gratë dhe të rinjtë, sidomos për ata që jetojnë në zona rurale. Teknologjia ka ndihmuar në tejkalimin e disa barrierave tradicionale të pjesëmarrjes, por ajo mbetet vetëm një mjet. Pa vullnet institucional dhe pa qytetarë aktivë, digjitalizimi nuk garanton automatikisht transparencë reale dhe llogaridhënie efektive.
Përfshirja e të rinjve në proceset e transparencës dhe llogaridhënies është një tjetër element kyç për ndërtimin e një demokracie lokale të qëndrueshme. Të rinjtë, kur pajisen me njohuri dhe aftësi për të kuptuar qeverisjen lokale, shndërrohen në akterë të rëndësishëm të ndryshimit. Ata sjellin perspektiva të reja, energji dhe gatishmëri për të sfiduar praktikat e vjetra.
Po aq thelbësore është përfshirja e grave, veçanërisht e grave nga zonat rurale dhe nga grupet e margjinalizuara. Gratë shpesh përballen me mungesë informacioni, barriera kulturore dhe mungesë besimi në institucionet publike. Kur ato përfshihen në proceset vendimmarrëse dhe në kërkimin e llogaridhënies, politikat publike bëhen më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj nevojave reale të komunitetit. Përfshirja e grave në udhëheqje institucionale pastaj, është një sfidë që vazhdon të na ndjekë ndër vite, dhe fatkeqësisht përparimi është I ngadalshëm. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi, nuk ka qenë gjithmonë e lehtë të jesh vajzë aktive në fushën e transparencës dhe llogaridhënies. Ka pasur momente lodhjeje, zhgënjimi dhe ndjenje se ndryshimi është i ngadalshëm. Megjithatë, qëllimi ka qenë gjithmonë i qartë: të kontribuoj në ndërtimin e një komuniteti më të informuar, më të drejtë dhe më pjesëmarrës. Përpjekjet për të zgjeruar aktivizmin tek gratë dhe të rinjtë kanë qenë pjesë e pandashme e këtij angazhimi, sepse pa zërin e tyre, demokracia mbetet e mangët.
Në përfundim, transparenca dhe llogaridhënia në nivel lokal janë procese të vazhdueshme që kërkojnë angazhim afatgjatë. Krahasimi mes së kaluarës dhe së tashmes tregon se ndryshimi është i mundur, por nuk ndodh vetvetiu. Ai vjen si rezultat i kërkesës së vazhdueshme për llogari, i dialogut konstruktiv dhe i përfshirjes aktive të qytetarëve. Vetëm duke fuqizuar gratë, vajzat dhe të rinjtë për të qenë pjesë e këtij procesi, mund të ndërtohet një qeverisje lokale më transparente, më e drejtë dhe më e besueshme për të gjithë.
Ky artikull u zhvillua në kuadër të projektit “Biseda për transparencë”, që financohet nga Instituti Demokratik i Kosovës – si pjesë e bashkëfinancimit mes projekteve “Rinia dhe shoqëria civile për integritet”, i financuar nga Suedia (Sida) dhe “Mbikëqyrja e Integritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e përfituesit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e KDI-së si ofrues i sub-grantit, as të donatorëve – Suedisë dhe BE-së.
