Transparenca e pushtetit lokal: luks apo domosdoshmëri shoqërore

 

shkruan Prof. Dr. Avni H. Alidemaj

Profesor i shkencave jurdike-administrative dhe shkencave politike

 

Për dallim nga e kaluara, në kohët moderne, ndërveprimi ndërmjet qytetarit dhe institucioneve shtetërore është intensifikuar duke krijuar një dinamikë të re në favor të qytetarit. Në etapa më të hershme të zhvillimit shoqëror (në përjashtim të një periudhe të shkurtër të civilizimit helen) ky ndërveprim ka gjeneruar detyrime të vazhdueshme për qytetarin dhe rrallë herë për pushtetin. Mirëpo, zhvillimet e mëvonshme, që ishin rrjedhojë e Revolucionit Borgjez Francez, ndryshuan këtë ndërveprim duke krijuar shoqëri më të hapura me një rol të fuqizuar të qytetarisë e që kishte për pasojë përfshirjen gjithnjë e më të madhe të tyre në proceset vendimmarrëse dhe detyrimin e pushtetit të përmbushë të drejtat dhe interesat jurdike të qytetarëve.

Qytetarët ndërveprojnë në baza ditore me pushtetin lokal për të përmbushur nevojat dhe detyrimet e tyre (çështjet e ndërlidhura me arsimin, infrastrukturën, asistenca të ndryshme, taksa, etj.), rrjedhimisht ky nivel i pushtetit qëndron më së afërmi me qytetarët duke shpërfaqur natyrën e vërtetë dhe të gjallë të shtetit, përtej koncepteve abstrakte. Pra, nëpërmjet shërbimeve publike të ofruara për qytetarë, pushteti lokal ndodhet në vijën e parë të ndërveprimit duke përfaqësuar vet esencën e shtetit. Rrjedhimisht, tërë ky ndërveprim reciprok ndërmjet pushtetit dhe qytetarit duhet të zhvillohet në mënyrë të hapur (transparente), me përfshirje të tyre, duke krijuar besim të ndërsjellët e që trason rrugën për një zhvillim të përgjithshëm shoqëror. Në të kundërtën, pushteti lokal nuk përfaqëson interesat e qytetarëve, trajton nevojat selektive të tyre duke i hapur rrugë dukurive negative siç janë korrupsioni, përvetësimi i paligjshëm dhe kaosi i përgjithshëm shoqëror.

Andaj, transparenca e punës së pushtetit lokal është pjesë integrale e konceptit të qeverisjes së hapur dhe të mirë, duke përcaktuar se në shoqëritë me demokraci të përparuara ndërveprimi i pushtetit me qytetarët duhet të jetë gjithëpërfshirës, i përgjegjshëm dhe në dialog e partneritet të vazhdueshëm. Pra, ky ndërveprim reciprok, ndërmjet pushtetit lokal dhe qytetarëve, duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo vetëm një herë në katër vite gjatë procesit zgjedhor.   

Nga ana tjetër, qeverisja e mirë, si koncept i elaboruar në fund të shekullit të kaluar, ka gjetur zbatim të hovshëm në fillim të shekullit XXI duke u etabluar si element dallues i demokracive funksionale të përparuara. Ky koncept ngërthen në vete qeverisjen pjesëmarrëse, efektive, të përgjegjshme dhe të bazuar në sundimin e së drejtës. Realisht, transparenca e pushtetit qëndron në vet thelbin e këtyre elementeve bazë të qeverisjes së mirë. Pa transparencë të pushtetit nuk do të kishte qeverisje efektive dhe as të përgjegjshme. Në nivelin e pushtetit lokal, transparenca nënkupton njoftimin proaktiv të qytetarëve për marrjen e vendimeve që prekin interesat e përgjithshme, por edhe konkrete të qytetarëve. Rrjedhimisht, qytetarët mbeten të njoftuar për punën e pushtetit lokal, arsyen e marrjes së vendimeve të caktuar dhe gatishmërinë e harmonizimit të këtyre vendimeve me vullnetin e shpërfaqur të qytetarëve.

Është pikërisht kjo transparencë që fuqizon mekanizmat e llogaridhënies së pushtetit lokal, duke qenë se çdo veprim i përfaqësuesve të pushtetit filtrohet nga mbikëqyrja shoqërore duke anatemuar çfarëdo keqpërdorimi të pushtetit dhe duke zhvilluar një kulturë demokratike që inkurajon integritetin e përfaqësueseve të pushtetit lokal. Andaj, transparenca e pushtetit lokal na shpërfaqet si mekanizëm thelbësor dhe parandalues i dukurive korruptive, klientelizmit dhe formave të ndryshme të nepotizmit që mund të manifestohen si pasojë e ndërveprimit të pushtetit me subjekte të ndryshme ekonomike dhe ato politike.

Në shoqëritë në tranzicion, siç është rasti me Kosovën, pushteti lokal perceptohet si i politizuar, joefikas dhe i shkëputur tërësisht nga përgjegjshmëria për të adresuar nevojat e qytetarëve. Andaj, ndërtimi i besueshmërisë në raport me pushtetin lokal mund të bëhet realitet nëpërmjet mekanizmave të transparencës e të cilët fuqizojnë edhe vet qytetarët. Nga hulumtimet e zhvilluara në disa komuna të Rajonit të Mitrovicës, del në pah se ky perceptim negativ mbi pushtetin lokal është ndërtuar në masë të madhe edhe nga mendësia e kaluar e sistemit komunist ku pushteti lokal nuk është sfiduar asnjëherë për vendimet e ndërmarra dhe raporti ndërmjet qytetarit dhe pushtetit është ndërtuar, në masë të madhe, mbi detyrimet e qytetarëve dhe jo në të drejtat e tyre. Kështu që në pyetjen lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe mbikëqyrje shoqërore, pjesa dërmuesve e tyre konsiderojnë se vendimmarrja në nivelin e pushtetit lokal është çështje e institucioneve dhe nuk u përket qytetarëve të ndërhyjnë në këto çështje. Pra, është evidente se një pjesë e qytetarëve kanë deficit të theksuar të kulturës demokratike dhe për t’u adresuar kjo çështje duhet përdorur çasja proaktive e pushtetit lokal dhe jo vetëm kryerja e obligimeve që rrjedhin nga dispozitat ligjore lidhur me informimin dhe konsultimin e publikut. Një rol të rëndësishëm në këtë çështje ka edhe shoqëria civile, e cila duhet të jetë shumë aktive në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rolin e tyre në sistemet demokratike.

Duke qenë se parimi i transparencës së pushtetit lokal qëndron në vet thelbin e qeverisjes së mirë, qeverisja e hapur e etablon këtë parim edhe më tutje, përtej obligimit për të informuar, duke synuar krijimin e partneriteteve dhe bashkëqeverisjes me qytetarët. Në këtë mënyrë qytetarët përfshihen në hartimin e politikave publike lokale, mbikëqyrjen, ofrimin e shërbimeve duke e shndërruar parimin e transparencës në kategori dinamike dhe proaktive. Rrjedhimisht, pushteti lokal transparent nuk i trajton qytetarët si hisedar pasiv, por si palë bashkëqeverisëse. Kjo është tejet e rëndësishme, sidomos në komunat e banuara me pakica etnike, fetare dhe kulturore ngase mundëson identifikimin dhe adresimin e nevojave dhe kërkesave të tyre specifike. 

Për tu arritur kjo, në kontekstin e Kosovës, kërkohet një evolim i kulturës demokratike. Edhe pse, viteve të fundit shihen disa përparime në këtë aspekt, megjithate, një pjesë e madhe e qytetarisë vazhdon të mbetet e pa interesuar në mbikëqyrjen shoqërore të pushtetit lokal dhe pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse. Janë kryesisht shoqëria civile dhe media që janë më të interesuara për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti lokal për vendimet e tyre, por jo edhe qytetari si person fizik apo edhe në cilësi të grupeve joformale.

Zbatimi i parimit të transparencës së pushtetit lokal është i ndërlidhur ngushtë edhe me aplikimin e mekanizmave të ndryshëm inovativ për të siguruar qeverisje të hapur. Këta mekanizma përfshijnë edhe sistemin e ankimimit të qytetarëve, njoftimin e hershëm të zhvillimeve në shoqëri dhe mundësinë e artikulimit të nevojave të qytetarëve.

Në këtë vazhdë, aplikimi i digjitalizimit në nivel lokal ka kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e transparencës së pushtetit dhe ngritjen e efektivitetit të tyre. Në këtë aspekt, në Kosovë janë shënuar përparime të dukshme për ta mbajtur qytetarin e informuar lidhur me vendimet e zbatuara nga pushteti lokal. Megjithatë, marrë parasysh grupet e margjinalizuara, që mund të mos kenë qasje në sistemet elektronike komunale, pushteti lokal nuk duhet të heq dorë nga format e zakonshme të njoftimit dhe të komunikimit me qytetarë (takimet me qytetarë, konsultimet publike dhe vizitat në bashkësi).   

Përkundër dobishmërisë së zbatimit të parimit të transparencës në nivel lokal, ekzistojnë edhe perceptime të gabuara nga ana e një pjesë të zyrtarëve të pushtetit lokal. Ata janë të bindur se mbikëqyrja shoqërore dhe vendimmarrja me pjesëmarrje e ngadalëson dukshëm vet procesin e marrjes së vendimeve duke ndikuar negativisht në efikasitetin dhe efektivitetin e punës së pushtetit lokal. Mirëpo, ky perceptim është plotësisht i gabuar dhe mund të ndikoj në pakënaqësinë e qytetarëve duke u manifestuar me trazira eventuale sociale.    

Për më tepër, transparenca në pushtetin lokal duhet trajtuar si investim në qeverisje të mirë dhe të hapur dhe kurrsesi si pengesë apo barrë shtesë. Në shoqëritë me demokraci të përparuar, transparenca është themel i kredibilitetit dhe efektivitetit të pushtetit lokal duke ndikuar pozitivisht në ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj pushtetit. Duke ngërthyer parimin e transparencës në qeverisjen e mirë dhe të hapur, pushteti lokal siguron legjitimitetin demokratik, qëndrueshmërinë në vendimmarrje dhe prosperitetin e përgjithshëm shoqëror. 

E ardhmja e pushtetit lokal qëndron te çasja proaktive: të qeverisësh së bashku me qytetarët dhe jo për qytetarët. Ky mësim i rëndësishëm nuk është mësuar ende në plotni nga pushteti lokal në Kosovë, përkundër disa përparimeve të bëra.

 

Ky artikull u zhvillua në kuadër të projektit “Biseda për transparencë”, që financohet nga Instituti Demokratik i Kosovës – si pjesë e bashkëfinancimit mes projekteve “Rinia dhe shoqëria civile për integritet”, i financuar nga Suedia (Sida) dhe “Mbikëqyrja e Integritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e përfituesit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e KDI-së si ofrues i sub-grantit, as të donatorëve – Suedisë dhe BE-së.

Transparenca e pushtetit lokal: luks apo domosdoshmëri shoqërore

You May Also Like