Dialogu si mjet për pajtim

shkruan Miodrag Milicević

2020 – vit me plot sfida të betejës kundër murtajës moderne në të cilën përparësi është ruajtja e shëndetit të të gjithëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Pa asnjë dyshim është e qartë se kriza e shkaktuar nga pandemia ndryshoi botën, preku shumë prej nesh, por edhe formoi një ushtri të atyre që ende dyshojnë në ekzistencën e virusit. Për më tepër, qeveritë në mbarë botën kanë reaguar ndryshe ndaj shpërthimit të virusit, duke miratuar paketa masash për të parandaluar përhapjen e virusit, që të ruajnë shëndetin e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë. Përkundër rrethanave kaq komplekse në të cilat gjendemi aktualisht, ende nuk i kemi harruar dhe nuk duhet t’i harrojmë çështjet e shumta që kanë rënduar hapësirat e Ballkanit Perëndimor për dekada, në të cilat shoqëria jonë, për fat të keq, nuk bën përjashtim.

Ç’është e vërteta, në 20 vitet e kaluara janë bërë përpjekje për të ndërtuar kapacitete demokratike të një shoqërie që është ende e ngarkuar me ndarjet pas konfliktit, me ekonomi të dobët por edhe me mungesë shumë të theksuar të vullnetit politik dhe angazhim të pamjaftueshëm të aktorëve të ndryshëm politikë dhe autoriteteve që të merren me të kaluarën, e cila do të krijonte predispozita themelore për procesin thelbësor të pajtimit të shumëpritur të serbëve dhe shqiptarëve. Njëzet vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë do të ishte pritur që të jemi pjekur si shoqëri për t’u përballur me të gjitha çështjet që prekin komunitetet tona dhe të kemi forcë dhe durim të mjaftueshëm për të kapërcyer sfidat e shumta të cilave shoqëria jonë u ekspozohet sot. Gjithashtu jam i vetëdijshëm për faktin se pa mbështetjen e konsiderueshme të të gjithëve, kryesisht bartësve të politikave zyrtare, shoqërisë civile dhe mediave, por edhe me mbështetjen e fortë të bashkësisë ndërkombëtare, ne nuk mund të arrijmë qëllimin përfundimtar – i cili është pajtimi i përhershëm dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve të të gjitha komuniteteve që sot ndajnë një hapësirë të përbashkët.

Por, vihet re se kjo temë aktualisht nuk është në krye të listës së prioriteteve në agjendat politike dhe se nuk ka model të përshtatshëm universal që do t’u përgjigjej nevojave të shoqërisë sonë për pajtim të qëndrueshëm dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve të ndërsjella.

Andaj, jam më se i bindur se, për shkak të mungesës së mbështetjes së vazhdueshme të elitave politike, shoqëria civile është faktor kyç që mund të ndihmojë në këtë proces, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë në përpjekje për të arritur në të vërtetë pajtimin e vërtetë. Në fakt, ndërtimi i potencialit demokratik të një shoqërie, që do të zhvillojë vetëdije të fortë për nevojat reale të një shoqërie dhe do të përpiqet të zhvillojë shkallë të lartë të ndjeshmërisë ndaj komunitetit tjetër, gjithsesi duhet të jetë prioritet i një shoqërie civile të fortë.

Çështjet e nxehta që kërkojnë përgjigje

Megjithatë, sot më shumë se kurrë dhe me shumë të drejtë, do të thosha, dalin në pah edhe disa pyetje:

  • A kemi bërë sa duhet si shoqëri në procesin e pajtimit, në radhë të parë, ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, por edhe ndërmjet komuniteteve të tjera në Kosovë?
  • A kemi bërë përpjekje të mjaftueshme dhe në ç’masë kemi qenë në gjendje të nxisim dhe të përfshijmë të gjithë aktorët relevantë në këtë proces?
  • A mund ta bëjmë këtë vetëm dhe në ç’masë mund të presim mbështetjen e përfaqësuesve aktualë politikë, por edhe pse është e rëndësishme të niset një dialog i hapur dhe të përballemi me të kaluarën?
  • A duhet të presim një kohë më të mirë dhe a mund ta bëjë këtë dikush tjetër për ne, dikush nga anash? Për ne që jetojmë këtu?

Kësaj radhe, do të na duhet të kërkojmë përgjigje brenda komuniteteve tona, sepse këto janë në të vërtetë pyetje për të cilat askush, përveç nesh, nuk mund të japë përgjigje të vlefshme. Për diçka të tillë, ne kemi nevojë për disa parakushte duke u bazuar, pasa së gjithash, në një qasje të sinqertë ndaj njëri-tjetrit. Nevoja e tillë buron nga fakti se, përkundër pothuajse të njëjtave sfida që prekin në masë të madhe të gjitha komunitetet, ato shpesh shihen si sfida për njërin apo tjetrin komunitet.

Pajtimi që buron nga komuniteti – Rruga përpara

Pikërisht për shkak të krejt asaj që u tha më sipër, unë do të guxoj t’u përgjigjem disa prej pyetjeve të shtruara. Së pari, kur flasim për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin si proces, mendoj se, përkundër njëfarë progresi, nuk kemi përparuar mjaftueshëm në atë drejtim. Në masë të madhe, përshtypja ime personale është se shumë më shumë mund dhe duhej të ishte bërë, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se në dy dekadat e fundit është ndërtuar një shoqëri e fortë civile si mbështetje e fortë për atë proces. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për ekzistencën e vullnetit politik. Për këtë arsye, besoj se humbi mundësia për të filluar një dialog më të gjerë shoqëror dhe shumështresor; në vend të tij, patëm një dialog jokonsistent ndëretnik të një karakteri të fragmentuar, i cili kryesisht zhvillohet në nivel projektesh tdhe përfshin vetëm një pjesë të komuniteteve lokale. Përveç kësaj, është qenësore të sigurohet mbështetja e qartë e aktorëve kryesorë politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke krijuar kështu një shtysë të fortë për nisjen e një dialogu të vazhdueshëm ndëretnik brenda Kosovës.

Kjo qasje do të krijonte parakushte për normalizimin e ardhshëm të marrëdhënieve midis komuniteteve, por edhe do të dërgonte sinjal të qartë të angazhimit të qëndrueshëm se pajtimi mund dhe duhet të ndodhë vetëm përmes një forme të dialogut të drejtpërdrejtë, duke u bazuar në tolerancë dhe respekt të ndërsjellë. Gjithashtu, një formë e tillë e dialogut do të synonte të zgjeronte dhe thellonte hapësirën për dialog konstruktiv mes shtresave të ndryshme shoqërore, në të cilin shoqëria civile duhet të luajë rol të rëndësishëm dhe si i tillë, dialogu mund të shërbejë si shembull i shkëlqyeshëm për elitat politike në të dy anët. Jemi dëshmitarë të përpjekjeve dhe angazhimit të të gjithë aktorëve relevantë ndërkombëtarë për të ofruar mbështetje për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në nivel të lartë politik, por gjithashtu kam frikë se, duke humbur mundësinë për të përfshirë komunitetet lokale brenda Kosovës në procesin e dialogut ndëretnik, po e anashkalojmë thelbin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës.

Sot, të kesh forcën, vullnetin dhe mundësinë për të folur për të kaluarën në kërkim të së vërtetës dhe pajtimit të vërtetë, është thelbësore për të ardhmen e të gjithë neve që jetojmë këtu. Jam mjaft i sigurtë se përmirësimi i cilësisë së jetës, të drejtat e barabarta dhe respektimi i të gjitha komuniteteve, arsimi cilësor, është po aq i rëndësishëm për të gjitha komunitetet etnike në Kosovë sot, por mbi të gjitha, kjo vlen edhe për pajtimin e vërtetë, i cili, si shumë temat e tjera, nuk duhet të kenë emërues politik por emërues të përbashkët – e ardhmja e të gjithë neve brenda dhe jo jashtë Kosovës.

“Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities and D&G Solutions dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së SHBA-së apo Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)”

Dialogu si mjet për pajtim

You May Also Like