Pajtimi duhet të shoqërohet me drejtësi; përndryshe nuk do të zgjasë
shkruan Artan Binaku
Kur flasim për pajtimin, gjëja e parë që më vjen në mendje është diçka që kam lexuar para ca kohësh që më la mbresë – një mendim që ende është i freskët – i freskët si ditën kur e lexova. Pajtimi duhet të shoqërohet me drejtësi; përndryshe nuk do të zgjasë. Ndërsa të gjithë shpresojmë për paqe, kjo nuk duhet të jetë paqe me çdo kusht por paqe e bazuar në parime, në drejtësi”, tha ish-presidentja e Filipineve Maria Corazon Cojuangco-Aquino.
Natyrisht, pyes veten: çka kanë bërë institucionet e Kosovës për të siguruar që viktimat e krimeve gjatë luftës të marrin kompensimin e duhur financiar dhe moral, si dhe drejtësi?
Në demokracitë e zhvilluara bashkëkohore, drejtësia është përgjegjësi e institucioneve publike (legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit), të cilët janë përgjegjëse për të siguruar garantimin e paqes së qëndrueshme dhe afatgjatë. Pa institucione që sigurojnë paqe dhe stabilitet, gjasat për përsëritje të keq bërjeve janë të mëdha, dhe shoqëria mund të bjerë në cikël dhune, krimi dhe hakmarrjeje. Përplasja e vazhdueshme çon në konflikte, luftëra dhe mizori që sjellin vuajtje dhe humbje njerëzore. Prandaj institucionet publike duhet të sigurohen që burimet të ndahen dhe alokohen për të varfërit dhe nevojtarët, por edhe të adresojnë pabarazitë dhe krimet brenda kufijve të tyre. Duke siguruar drejtësi për viktimat, sigurohet stabiliteti politik, respektohen të drejtat e njerëzve, dhe kësisoj rritet besimi i tyre në sistemin politik.
Gjatë përvojës sime të punës në 15 vitet e fundit në fushën e të drejtave të njeriut dhe iniciativave të komunitetit, u bë e qartë për mua personalisht se pajtimi midis komuniteteve është jashtëzakonisht problematik dhe një ndërmarrje komplekse. Kjo ndodh sepse shoqëria kosovare është shumë e ndarë në aspektin etnik. Në krahasim me fëmijërinë time, kur isha gjashtë vjeç, unë flisja rrjedhshëm serbisht dhe takohesha çdo ditë me komunitete të ndryshme. Sot, fëmijët e të gjitha komuniteteve nuk kanë forma praktike të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit. Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë rëndom janë të ndara, dhe në rastet kur komunitetet ndajnë hapësira të përbashkëta, nuk organizohen aktivitete të përbashkëta. Me ngjarje kryesisht sporadike, organizatat ndërkombëtare realizojnë ngjarje dhe veprimtari ndërveprimi midis komuniteteve pa hapa të duhur përcjellës. Të dy sistemet e arsimit (kosovar dhe serb) faktikisht nuk kanë interes për bashkëpunim praktik dhe angazhim të mundshëm midis fëmijëve dhe nxënësve. Unë kam qenë pjesë e organizimit të aktiviteteve të ngjashme të ndjeshme. Di një rast kur një drejtor i komunitetit është përjashtuar nga puna vetëm sepse ‘ata’ bashkëpunuan me institucionet e Kosovës në organizimin e aktiviteteve të lira me fëmijë të komuniteteve të ndryshme. Iniciativat e bashkëpunimit midis të rinjve dhe komuniteteve në Kosovë janë përgjithësisht jetëshkurtra, pasi përgjithësisht, nuk ka përpjekje serioze që ato të jenë të qëndrueshme dhe funksionale.
Në përgjithësi, organizatat ndërkombëtare në Kosovë mendojnë se pajtimi është çështje jashtëzakonisht e ndjeshme dhe hezitojnë ta quajnë me emrin që e meriton. Andaj pyes veten: pse të mbahen aktivitete që synojnë pajtimin pa përmendur siç duhet pajtimin? Nëse pajtimi nuk është problem, kush do të pajtohet? Ç’farë kemi për të fshehur? Asgjë, do të thosha unë. Nëse pajtimi nuk përmendet si problem – problemi nuk ekziston. Të gjithë do të dëshironim të dinim të vërtetën, dhe duke e ditur të vërtetën dhe duke folur hapur për të, gjasat e pajtimit do të ishin më të mëdha.
Duke e anashkaluar, politizuar, ose duke u përmbajtur nga emërtimi i këtij procesi, do të ishte e pamundur të trajtojmë këtë çështje të ndjeshme; tekembramja, pajtimi nuk është proces ku rezultati është fajësimi i TJETRIT për atë që ka ndodhur. Pajtimi duhet të jetë proces ku palët zhvillojnë ndjeshmëri, dhembshuri, diskutojnë, bien dakord, debatojnë dhe ecin përpara, duke shpresuar që krimet e kryera të mos përsëriten.
Përfundimi i luftës në Kosovë, në kuptimin praktik, nuk i dha fund konfliktit dhe ne pajtohemi se nuk ka pasur konflikt të përhapur në Kosovë pas vitit 1999 (duke përjashtuar trazirat e marsit 2004). Sa i përket pajtimit të duhur – e disa autorë thonë se kërkohen marrëdhënie më të thella që përfshijnë besimin e ndërsjellë për të arritur pajtimin e plotë – në Kosovë nuk ka ndodhur ndonjë gjë. Ndarja etnike vetëm sa është thelluar. Pas luftës, ndarjet etnike dhe mosbesimi janë rritur për shkak të disa arsyeve. Njëra prej tyre është për shkak të disa shoqërimeve midis të rinjve dhe komuniteteve – të rinjtë shqiptarë të Kosovës flisnin gjuhën serbe krahasuar me periudhën pas luftës. Forumet e vetme praktike ku bëhen bashkë të rinjtë shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë ngjarjet sporadike të organizuara nga organizata ndërkombëtare ose festime të organizuara nga partnerë të jashtëm.
Do të pajtohesha me z. Kelman në argumentet e tij te “Zgjidhja e konfliktit dhe pajtimi: perspektivë socialo-psikologjike mbi përfundimin e konfliktit të dhunshëm midis grupeve të identitetit“, ku thotë se për pajtimin duhet të ekzistojnë pesë parime themelore, pesë parime që Kosova duhet t’i përvetësojë në këtë proces:
- Pranimi i ndërsjellë i përkatësisë kombëtare dhe humanitetit të tjetrit;
- Zhvillimi i një baze të përbashkët morale për paqen, duke mundësuar një paqe që të dyja palët e shohin në përputhje me parimet e barazisë dhe drejtësisë së arritshme;
- Përballja me historinë, e cila nuk kërkon histori të përbashkët konsensuale, por kërkon pranimin e së vërtetës së tjetrit në narrativën e vet;
- Njohja e përgjegjësisë e shprehur në kuptimin simbolik dhe material;
- Gjetja e modeleve dhe mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përfshirë aktivitete të ndryshme sy më sy që janë vërtet të dobishme për të dy palët dhe të bazuara në barazi dhe reciprocitet.
Që nga viti 1999, iniciativat sporadike dhe joadekuate janë realizuar pa dobi, veçanërisht dialogu Prishtinë-Beograd i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (deri më sot, përpjekje e dështuar për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë). Mund të thosha se Bashkimi Evropian ka lehtësuar bisedimet që kanë krijuar tensione midis komuniteteve të Kosovës në disa raste. Kjo vlen sidomos për themelimin e mundshëm të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, të cilin shqiptarët e Kosovës e shohin si marrëveshje kornizë që ndan vendin dhe nuk ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve midis komuniteteve. Nga ana tjetër, serbët e Kosovës e shohin Asociacionin si mënyrën e vetme përpara për ‘mbijetesën’ e tyre në Kosovë.
Rajoni i ish-Jugosllavisë ka një histori konfliktesh dhe mizorish të kryera gjatë luftërave të viteve ’90 dhe, në adresimin e këtyre krimeve, u krijua Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për ish-Jugosllavinë (ICTY). Krijimi i tij u pa përgjithësisht si paaftësi e kapaciteteve të ish-shtetit jugosllav apo si mungesë e gatishmërisë për të adresuar këto mizori të rënda.
Shumëkush gjithashtu vë në dyshim suksesin e ICTY-së për vendosjen e drejtësisë për viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, e të mos flasim për pajtimin. Në rastin e Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit gjithashtu luajtën rol në hetimin e mizorive gjatë luftës. Në nivel global, në rast të mizorive masive, shtetet dhe komunitetet janë marrë në mënyra të ndryshme me praktikat e pajtimit; disa shtete e kanë adresuar këtë duke krijuar Komisione për të Vërtetën (El Salvador, Kongo dhe Kenia), Komision të Unitetit dhe Pajtimit Kombëtar (Ruanda), Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin (Afrika e Jugut, Kanada dhe Kosova).
Në Kosovë, Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin u krijua në vitin 2017; ish-presidenti Hashim Thaçi inicioi krijimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin (TRC) në Kosovë për të ndihmuar në sigurimin e bazës për dialog midis komuniteteve të ndara të Kosovës. TRC-ja kishte për qëllim të vendosë fakte rreth luftës së fundit në Kosovë, të mbrojë viktimat dhe të mbijetuarit dhe të mbështesë ndryshimet e politikave të Kosovës në lidhje me aktivitetet e pajtimit. Para këtij vendimi, institucionet e Kosovës, gjegjësisht qeveria e Kosovës në vitin 2012 themeloi të ashtuquajturin “Grupi Punues Ndërministror për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin”. Ky grup punues u mandatua të merret me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare në të kaluarën në Kosovë, përfshirë luftën e fundit dhe periudhën e tranzicionit. Ndërkombëtarisht, është e qartë se komisionet për të vërtetën janë më efektive kur integrohen në një strategji gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale që përfshin politikat e kompensimit, ndjekjet penale dhe reformat institucionale. Në rastin e Kosovës, nuk është e vështirë të konkludohet se pajtimi është larg pa drejtësinë e duhur tranzicionale, politikat e kompensimit dhe ndjekjet penale. Iniciativat për të Vërtetën dhe Pajtimin janë komplekse dhe sfiduese. Për të qenë të suksesshme, ato duhet të planifikohen dhe krijohen në mënyrë adekuate që të mos thellojnë ndarjen ose të lejojnë konfliktin e mundshëm midis palëve. Për të qenë të suksesshme, këto nisma dhe komisione duhet të jenë të paanshme, pjesëmarrëse, të kenë ndjeshmëri të konsiderueshme, të jenë neutrale dhe të shikojnë pajtimin me një qasje gjithëpërfshirëse. Kjo gjë është qenësore që këto komisione të mos shndërrohen në forume ku njëra palë konsiderohet viktimë, e tjetra agresor. Politikat ekzistuese të pajtimit duhet të përmirësohen duke e bërë politikën e pajtimit më përfshirëse dhe transparente.
“Pajtimi është proces shpirtëror i cili kërkon më shumë se një kornizë ligjore – Mandela.
“Ky artikull është mundësuar me mbështetjen e YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities and D&G Solutions dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së SHBA-së apo Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)”