Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje në nivel komunal

Avni H Alidemaj

shkruan Avni H. ALIDEMAJ

Dr.sc. në Qeverisje dhe Administratë Publike
LL.M. në Shkenca Juridike

Qeverisja e mirë, e përgjegjshme dhe transparente janë të një rëndësie thelbësore për realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, barazisë dhe drejtësisë sociale. Rrjedhimisht, pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse është me peshë të madhe në promovimin e qeverisjes demokratike, përfshirjen sociale dhe zhvillimin ekonomik, përfshirë avancimin e të drejtave të njeriut. E drejta për të marrë pjesë në jetën publike është e rëndësishme në fuqizimin e individëve dhe grupeve si dhe është një nga elementët thelbësorë të qasjeve të bazuara në të drejtat e njeriut që synojnë eliminimin e margjinalizimit dhe diskriminimit. Të drejtat e pjesëmarrjes janë të lidhura ngushtë me të drejtat tjera të njeriut, siç janë të drejtat për asocim dhe bashkim paqësor si dhe lirinë e shprehjes dhe mendimit.

Pjesëmarrja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse është karakteristikë e shoqërive me demokraci funksionale e cila e përmirëson llogaridhënien e autoriteteve duke e ngritur përgjegjësinë e tyre edhe në raport me vet kontratën shoqërore. Andaj, në vendet demokratike është arritur pajtueshmëria në lidhje me nevojën për të aplikuar mekanizma legjislativ që do të lehtësojnë pjesëmarrjen e publikut në proceset vendimmarrëse.

Ekziston një spektër i gjerë i dokumenteve ndërkombëtare që mbështesin të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrje e të cilat kanë pasur një ndikim të madh në të drejtën e brendshme të shumë vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Shumë nga këto dokumente kanë aplikueshmëri të drejtëpërdrejt në Kosovë: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa për Zhdukjen e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, etj.

Përkundër se është një demokraci e re, Kosova ka një kornizë ligjore progresive që është zhvilluar me mbështetje të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, ku shumica e instrumenteve ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut përfshihen në kornizën ekzistuese ligjore. Rrjedhimisht, e drejta për të marrë pjesë në vendimmarrje është e përfshirë në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e të Rinjve, Udhëzimit Administrativ për Transparencën në Komunë, Udhëzimit Administrativ mbi Standardet minimale të Konsultimeve Publike në Komuna, Udhëzimit Administrativ për Memorandume të Bashkëpunimit të Komunave me fshatra, Udhëzimit administrativ për procedurën e themelimit/organizimit dhe kompetencave të komiteteve konsultative në komuna, Statutit të Komunave, etj.

Edhe për këtë çështje, sikur edhe shumë të tjera, zbatueshmëria e kësaj baze ligjore është jo e kënaqshme. Shpesh, moszbatimi është arsyetuar nga autoritetet për mungesë të mjeteve financiare apo edhe si pasojë e mungesës së interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse.

Është mëse evidente se përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse nuk është çështje e vullnetit të institucioneve politike dhe atyre administrative por është e drejtë e patjetërsueshme e cila fuqimisht garantohet me dispozita ligjore. 

Praktikat e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje në Kosovë

          Një veçori e çuditshme në Kosovë, në periudhën e pasluftës, është edhe mungesa e aktivizmit qytetar duke pretenduar se të gjitha nevojat dhe problemet duhet të jenë të njohura nga pushteti dhe të adresohen me automatizëm. Një gjë e tillë është e pamundur edhe në vendet me demokraci të përparuar. Ndërsa në vendet e dala nga lufta dhe të cilat përpiqen të konsolidojnë sistemin demokratik kërkohet një aktivizëm i shtuar qytetar për të adresuar nevojat dhe prioritetet e bashkësisë. Realisht, në Kosovë janë krijuar mekanizma të ndryshëm që inkurajojnë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Këta mekanizma janë larg prej të qenit të konsoliduar dhe plotësisht funksional edhe pse janë të një rëndësie të madhe për tranzicionin e vendit drejt një shoqërie me vlera demokratike.     

          Sidoqoftë, përparime të vogla janë arritur në përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Fillimisht, infrastruktura ligjore është e pranishme si dhe organet administrative që janë përgjegjëse për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Mirëpo, vështirësitë janë të mëdha në jetësimin e këtij procesi. Qytetarët, për arsye nga më të ndryshme, nuk shprehin interesim për këtë proces. Në komunën e Vushtrrisë dhe Mitrovicës gjatë vitit 2018 dhe 2019 janë organizuar një mori debatesh lidhur me draft politikat komunale me ç’rast një numër tejet simbolik i qytetarëve kanë shprehur interesim për pjesëmarrje duke mos arritur që të merren sugjerime dhe komente konstruktive që do të ndihmonin në cilësinë e politikave publike dhe rrjedhimisht në vendimmarrje në nivel komunal. Zakonisht gjatë mbajtjes së debateve publike vërehet një prezencë e moderuar e Organizatave Joqeveritare të cilat kanë një ekspertizë lidhur me çështjet që shtrohen për debat. Qytetarët marrin pjesë në këto takime publike tejet rrallë dhe zakonisht janë grupe të tyre që nuk i japin ndonjë vlerë të shtuar konsultimit. Organizatat e Shoqërisë Civile mund të ndihmojnë lidhur me këtë çështje duke mobilizuar kapacitetet e tyre në vetëdijësimin e qytetarëve lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes në procese vendimmarrëse. Shkaktarin kryesor të kësaj dukurie duhet kërkuar te mendësia e formësuar gjatë sistemit të kaluar kur asnjëherë nuk është sfiduar vendimmarrja e autoriteteve, si dhe me perceptimin e qytetarëve se nuk kanë mundësi të ndikojnë në vendimmarrje në nivel komunal. 

          Strukturat e ashtuquajtura nën komunale të organizimit të qeverisjes kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndër format më të sigurta të afrimit të qytetarëve me proceset e vendimmarrjes në komunë. Niveli nën komunal i organizimit të qeverisjes në Kosovë haset me emërtime të ndryshme: diku njihet si këshill lokal e diku tjetër si këshill i fshatit. Roli i këshillave të fshatrave lidhet kryesisht me shqyrtimin e çështjeve në interes të lokalitetit; planifikimin, organizimin dhe përcjelljen e planeve dhe programeve zhvillimore të lokalitetit; organizimin e takimeve të qytetarëve me zyrtarë komunalë; etj. Megjithatë, një nga sfidat më të mëdha të funksionalizimit të këshillave të fshatrave në Kosovë mbetet financimi i këtyre mekanizmave. Meqenëse në aspektin ligjor këto organe nuk njihen si kategori ligjore e qeverisjes nën komunale, problematikë e pakapërcyeshme mbetet financimi i funksionimit të këtyre trupave. Andaj, komunat janë të detyruara të gjejnë forma të ndryshme të financimit për të siguruar që këshillat e fshatrave të funksionojnë.

          Këshillat e fshatrave, padyshim, janë mekanizma tejet të rëndësishëm të përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse në nivel lokal. Përmes tyre, nevojat dhe prioritetet e banorëve artikulohen në mënyrë më të strukturuar dhe garantojnë efikasitet më të lartë në adresimin e problemeve. Mirëpo këto këshilla të fshatrave, përkundër obligimit ligjor, në disa komuna ende nuk janë të formuara ndërsa në disa tjera janë pothuajse jofunksionale. Zbehja e dukshme e funksionimit të këshillave të fshatrave është shkaktuar nga mungesa e përkrahjes financiare dhe logjistike nga ana e pushtetit lokal. Për këtë arsye, përfaqësuesit e këshillave kanë konsideruar se janë neglizhuar nga autoritetet komunale duke e minimizuar rolin e tyre. Megjithatë, aktet nënligjore të miratuara gjatë vitit 2019 lidhur me bashkëpunimin mes komunës dhe këshillave të fshatrave kanë ofruar zgjidhje të pjesshme rreth çështjes në fjalë duke përcaktuar taksativisht detyrimin e pushtetit lokal për të përkrahur këto këshilla edhe financiarisht. Nga ana tjetër, qytetarët kanë njohuri tejet të vogla rreth rolit dhe rëndësisë së këshillave të fshatrave duke përfshirë edhe kompetencat e tyre të garantuara me dispozita ligjore. Jo rrallë, këto këshilla keqpërdoren nga subjektet politike ekskluzivisht për arritjen e objektivave ditore politike. Andaj, besueshmëria e tyre në raport me qytetarët është mjaft e lëkundur.

          Deri më tani, shumica e komunave të Kosovës kanë anashkaluar përfshirjen e grupeve të caktuara shoqërore në vendimmarrje, sidomos kur është fjala te buxhetimi komunal për nevojat e të rinjve, grave dhe personave me aftësi të kufizuar. Përkundër faktit që këto grupe të përmendura janë të organizuara edhe në grupime formale ato nuk kanë arritur të ndikojnë mjaftueshëm në buxhetim sipas nevojave të tyre. Adresimi i nevojave të rinisë është anashkaluar me arsyetimin e vazhdueshëm të mungesës së fondeve andaj kjo kategori ndjehet tejet e margjinalizuar në pjesën më të madhe të komunave të Kosovës, me theks të veçantë në rajonin e Mitrovicës. Për më tepër, ekziston një tendencë e instrumentalizimit të një numri të të rinjve nga autoritetet lokale.  

     Një nga mekanizmat e krijuar për të ngritur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse është edhe krijimi i Komiteteve Konsultative në përbërje të qytetarëve dhe shoqërisë civile. Këto komitete kanë të drejtë të bëjnë hulumtime, mbledhin të dhëna për çështje tematike dhe t’i propozojnë administratës komunale adresimin e nevojave të qytetarëve. Këto komitete funksionojnë pjesërisht dhe në numër tejet të vogël nëpër komunat e ndryshme. Shkaku kryesor i mos funksionimit të Komiteteve Konsultative është mungesa e përkrahjes financiare dhe logjistike për këto mekanizma.  

          Në një anketë të zhvilluar në fillim të vitit 2020 (Mitrovicë dhe Vushtrri) pjesa dërmuese e qytetarëve të anketuar (74 %) nuk kanë shprehur vullnet që të marrin pjesë në konsultime publike dhe as që kanë marrë pjesë në ndonjë konsultim të tillë (Hulumtimi është zhvilluar nga Avni H. Alidemaj gjatë vitit 2020 me ç’rast janë anketuar 314 qytetarë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë). Nga ana tjetër, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje është një nga kriteret thelbësore të reformës së administratës publike e cila siguron qeverisje të mirë. Deri më tani, infrastruktura ligjore për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje garanton mekanizma funksional por kjo ka mbetur vetëm në letër. Institucionet komunale dhe ato qendrore vazhdimisht deklarojnë pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në debate publike lidhur me draft-politika publike duke mos shpjeguar shkaqet e këtij fenomeni. Rreth 62 % e të anketuarave, që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në konsultime publike, shprehen se pjesëmarrja nuk prodhon ndonjë efekt në përmirësimin e politikave publike. Pra, autoritetet nuk i marrin parasysh sugjerimet dhe komentet e qytetarëve dhe i organizojnë takimet publike vetëm sa për ta përmbushur obligimin ligjor. Një mendim i tillë është shprehur edhe gjatë intervistave gjysmë të strukturuara. Ndërsa rreth 38 % e të anketuarve nuk kanë ndonjë interesim dhe as nuk e shohin si obligim qytetar të kontribuarit në përmirësimin e vendimmarrjes.

          Pra, përkundër bazës ligjore që garanton pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse, nuk është shënuar ndonjë përparim i dukshëm në këtë aspekt. Funksionalizimi i këtyre mekanizmave është tejet i rëndësishëm si për demokratizimin e shoqërisë ashtu edhe për proceset integruese evropiane nëpër të cilat po kalon Kosova.  

“Ky artikull është mundësuar me financimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përmes Aktivitetit për Bashkëpunim me Komunitetin (CCA). Përmbatja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e REC – Reconciliation Empowering Communities dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID apo Qeverisë së SHBA-së.”

Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje në nivel komunal

You May Also Like